Situatë dramatike në orët e mbrëmjes nga zjarri në Shëngjin.
Flakët të favorizuara edhe nga era kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë përfshirë disa banesa dhe rrezikojnë disa hotele të zonës.
Kjo ka detyruar autoritetet të evakuojnë banorët dhe pushuesit.
Në ndihmë të zjarrfikësve raportohet se kanë ardhur edhe dy avionë Canadair nga Italia.
Deri më tani nuk ka një bilanc të dëmeve, megjithatë flitet për disa shtëpi dhe biznese të djegura.
Deri tani një banesë është djegur, dhjetëra të tjera janë në rrezik në lagjen pranë Portit të Shëngjinit.
Banorëve të lagjes pranë portit u është kërkuar që të largohen nga shtëpitë, pasi pranë ndodhet edhe një karburant me një depozitë gazi prej 5 mijë litrash.
Mbi 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale janë angazhuar për të shuar flakët të cilat thuajse kanë përpirë Shëngjinin.
“Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar. Si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në zonë. U morën masat në kohë për evakuimin e tyre, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut" informoi ministria e Mbrojtjes.
Nisur nga situate e rëndë e krijuar është kërkuar ndihmë edhe nga Italia. Dy avionë italianë që përdoren për fikjen e zjarreve dhe një helikopter po ndërhyjnë nga ajri.
Avionët kanë mbërritur pas ndihmës që ministria e Mbrojtjes kërkoi tek Mekanizimit Evropian të Mbrojtjes Civile. Në zonën ku janë rezortet turistike zjarri është vënë nën kontroll.
Me kërkesë të strukturave të rendit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka ndaluar energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie për të evituar rreziqet e mëtejshme në zonën bregdetare “Rana e Hedhun”, Shëngjin.
“Ekipet tona ndodhen në terren, në mbështetje të grupeve të emergjencës së krijuar për shuarjen e zjarreve”, informon OSHEE.
Ministria e Mbrojtjes nga ana tjetër informon se pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike.